QKIPK - QENDRA KOMBËTARE E INVENTARIZIMIT TË PASURIVE KULTURORE

PËRFUNDON INVENTARIZIMI DHE KATALOGIMI I 790 OBJEKTEVE ARKEOLOGJIKE TË FONDIT MUZEOR BUTRIN

Në databazën kombëtare në Qkipk janë inventarizuar dhe kataloguar 790 objekte të Muzeut Arkeologjik Butrint. Një proces i përfunduar dhe një fond muzeor i trashëgimisë arkeologjike i dokumentuar konform standarteve bashkëkohore të dokumentimit dhe kuadrit ligjor duke plotësuar të gjitha kërkesat që nevojiten për një Object ID. Vazhdon puna me specialistet e Zyrës së Administrimit dhe Koordinimit Butrint për inventarizimin e plotë dhe katalogimin e monumenteve të Parkut, mozaikëve pjesë përbërëse e monumenteve, si dhe objektet e luajtëshme (kolona, kapitele, etj).
Cdo objekt mbart nje historik gërmimi dhe dokumentimi që fillon me gërmimet nga Misioni Arkeologjik Italian dhe vazhdon me institucionet dhe arkeologët shqiptar.
Historia e gërmimeve në Butrintit është direkt e lidhur me zbulimin e vetë qytetit, të atij qyteti që quhej një ‘Trojë tjetër’ dhe që e shoqëroi arkeologun Italian, Luigi Maria Ugolini, që nga vizita i tij e parë në Shqipëri, në Prill 1924, deri në vdekjen e tij të parakohshme, në Tetor 1936. Në pranverë të vitit 1928, katër vjet pas vizitës së tij të parë në Shqipëri, arkeologu i ri filloi gërmimet arkeologjike në Butrint, pa e ditur se çfarë do të zbulonte, por brenda vetes kishte një shpresë që duke gërmuar do të gjente shumë monumente apo edhe një qytet, që do të shtrihej ndërmjet realitetit e legjendës.
Qeveria dhe Parlamenti Shqiptar nënshkroi me Qeveritë e Francës në vitin 1923, Italisë 1927 dhe Rumanisë 1937 marrëveshjet mbi kërkimet arkeologjike që do të kryheshin nga secili shtet në Shqipëri, për të cilat nxorri qarkore dhe vendime të posaçme duke përcaktuar të drejtat dhe detyrimet përkatëse për këto misione. Vendimi vitit 1925 i akordon Italisë konçensionin e gërmimeve në territorin e Shqipërisë në disa Prefektura. Në vitin 1927 Qeveria Shqiptare lidhi marrveshje me Qeverinë Italiane e cila u dekretua si ligj, për kryerjen e studimeve e gërmimeve arkeologjike dhe jo gjeologjike nga Misioni Arkeologjik Italian në Prefekturat Elbasan, Dibër, Kosovë, Vlorë, Gjirokastër, Korçë dhe Tiranë sipas një harte të bashkangjitur ku përcaktohen kufijtë e zonave të gërmimit. Sipas kësaj marrveshje, misioni do të hartonte nje projekt për ruajtjen e të gjitha tepricave monumentale të çdo kohe te dala nga gërmimet. Përsa i përket objekteve të dala nga gërmimet marrveshja parashikon që objektet arkeologjike prej guri, qeramike ose metali, shtatoret, mbishkrimet të një forme të vetme, një periudhe dhe nga një kopje mbeteshin pronë ekskluzive e shtetit shqiptar, dhe nëse gjendeshin edhe kopje të tjera, gjysma e tyre i jepej Qeverisë Italine. Objektet e dala nga gërmimet do t’i dorëzoheshin qeverisë shqiptare për të garantuar mbledhur dhe ruajtur ne Muzeun Kombëtar pasi të jenë dokumentuar dhe sistemuar.
Në Janar 1928, nga Akropoli i Butrintit, Ugolini shkruan një artikull për veprimtarinë e Misionit Arkeologjik Italian në Shqipëri, duke rikujtuar se kërkimet e para arkeologjike në Shqipëri ishin bërë në vitin 1418 nga Qiriaku i Ankonës, artikull që u botua në Romë në Mars të po atij viti. Ai përmend edhe faktin se aty kishin dalë në dritë edhe 2 statuja, dhe propozon ndërtimin e një Muzeu Arkeologjik. Në Qershor Ugolini informon Konsullatën Italiane se gërmimet shënonin një progres në veprimtarinë e Misionit dhe me entuziazëm përmend faktin që kishin dalë në dritë 5 statuja të mëdha e të bukura mermeri, por akoma nuk mendonte se kishte të bënte me strukturën e një teatri. Në një letër drejtuar Ministrit të Arësimit, Ugolini informon se në gërmimet e Butrintit një vend të rëndësisë së parë ka Teatri greko-roman, “monument i ruajtur shumë mirë, sidomos në skenën, gjë e rrallë në monumentet e këtij lloji si edhe në statujat e bukura e mbishkrimet e shumta”. Shtypi i huaj pasqyronte në çdo detaj punën e kryer nga misionet e huaja arkeologjike në Shqipëri. Në një prej rraporteve shkruhej “Kur Mbreti Zog i Shqipërisë i dhurojë disa kohë më parë, Kryeministrit Musolini kokën e shkëlqyer prej mermeri të Perëndeshës së Butrintit, e gjetur në mbretërinë e tij, dha më tepër se një rëndësi se një dhuratë. Dhurata e mbretit i dha një rëndësi të veçantë rritjes së zbulimeve të çmuara të Shqipërisë për arkeologjinë. Për arsye traditash klasike, Shqipëria ka nisur të zërë vëndin e saj të vjetër pranë shteteve të Europës me rastin e zbulimeve të thesareve të arkitekturës dhe skulpturës helenike dhe romake, që po gjenden aty”.
Muzeu Arkeologjik i Butrinit ka dy etapa krijimi. Etapa e parë i përket ngritjes së këtij muzeu nga Ugolini dhe Markoni në ndërtesën e kullës Veneciane e cila ndodhet brenda qytetit antik të Butrintit. Dhe etapa e dytë i përket rigjenerimit të këtij muzeu në po ato ambjente me materialun arkeologjik të shpëtuar nga grabitja që u bë gjatë pushtimit fashist, si dhe nga gjetje të tjera nga gërmimet e përbashkëta të Institutit Arkeologjik dhe Fondacionit Butrinti, që nga viti 1994. Në vitet ‘60 muzeu përmbante materialin arkeologjik, të zbuluar nga Misioni Arkeologjik Italian. Gërmimet sistematike e bëra gjatë viteve 1960-1980, nga arkeologët shqiptarë, zgjeruan koleksionin e gjetjeve dhe njohuritë mbi Butrintin, të cilat u ekspozuan nëpërmjet disa rikonstruksioneve të Muzeut dhe, në mënyrë të veçantë atij, të vitit 1988, kur ai mori formën më të plotë, duke prezantuar historinë e gjatë shumëshekullore të qytetit. Vitet 90-91 dhe trazirat civile të 1997 ishin periudha të vështira për Shqipërinë, dhe kjo gjë u manifestua dhe në Butrint nga grabitja e muzeut të vjetër. Midis viteve 2000-2008 Ministria e Kulturës, Parku Kombëtar i Butrintit në bashkëpunim me Institutin e Arkeologjisë, Fondacionin Butrinti dhe institucione të tjera shqiptare dhe të huaja punuan për gjetjen e objekteve të vjedhura dhe për t’i risjellë në Butrint. Për të provuar pronësinë e shtetit shqiptar, të gjitha objektet shoqëroheshin me pasaportën e objektit (Object ID) të lëshuar nga QKIPK. Rihapja e muzeut u bë e mundur në Tetor të 2005, pas rikonstruksionit. Kemi të bëjmë me një muze brënda muzeut më të madh që përfshihet brenda mureve rrethuese të qytetit antik.
Referenca:
Stilian Adhami, Muzeologjia Shqiptare, Grevis, Tiranë 2001, fq.85
AMPJ, Shtypi i Londrës mbi Shqipërinë, Viti 1925, Dosja 138, fq. 1
AMPJ, Vendimi i Këshillit të Ministrave mbi dhënie konçensioni Qeverisë Italiane për gërmime arkeologjike në vise të ndryshme të Shqipërisë, Dosja 239 Mbi antikitetet në Shqipëri, fq. 14, Viti 1925
AMPJ, Marrveshje ndërmjet Italisë dhe Shqipërisë për studime dhe gërmime arkeologjike në Shqipëri, Dosja 212, viti 1927, fq. 3
AMPJ, Thesare të çmuara zbulohen në Shqipëri, Shtypi i huaj për gërmimet në Shqipëri, Dosja 293, Viti 1930, fq. 24
Dosja e Muzeut: Zyra e Administrimit dhe Koordinimit Butrint
Foto:
Arkivi QKIPK – Erjona Qilla, Zyra e Administrimit dhe Koordinimit Butrint

Silva BRESHANI
QKIPK 2015